Rreth Nesh

Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) është një institucion qëndror, me statusin e personit juridik, publik, në varësi të Ministrit të Mbrojtjes, i cili ka si objekt të veprimtarisë kontrollin shtetëror mbi eksportin, importin, kalimin tranzit, transferimin dhe veprimtaritë ndërmjetësuese për mallrat ushtarake dhe mallrat e teknologjitë me përdorim të dyfishtë.

Qëllimi i kësaj veprimtarie është sigurimi i interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë, mbikqyrja e angazhimeve të saj në traktatet ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve të dëmtimit në masë dhe sistemet e lëshimit të tyre, transferimin e armëve konvencionale, si dhe zbatimi i masave që synojnë parandalimin e përdorimit të këtyre mallrave për qëllime ushtarake.

AKSHE është institucioni përgjegjës për zbatimin e politikës shtetërore në fushën e kontrollit të eksporteve dhe importeve të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë. Krijimi dhe veprimtaria e tij gjejnë bazën ligjore në Ligjin nr. 9707, datë 05.04.2007“Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë” dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 43, datë 16.01.2008“Për organizimin, funksionimin dhe statusin e autoritetit të kontrollit shtetëror të eksporteve”.
Ky institucion mbështetur në listën e mallrave të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1569, datë 19.11.2008, listë e cila pasqyron përpikmërisht listën e mallrave të hartuar nga Bashkimi Europian e cila miratohet me bazë vjetore nga Këshilli i Ministrave

  • kryen të gjitha verifikimet e nevojshme, si në lidhje me dokumentacionin e paraqitur nga subjektet tregtare, ashtu dhe në analizën dhe ekspertizën përkatëse në lidhje me mallrat dhe veprimtaritë objekte të eksportit. Ky kontroll përfshin të gjitha fazat e proçesit, duke filluar që nga faza  e para – liçensimit, deri në kontrollin e mëtejshëm pasi subjekti është pajisur me liçensë dhe në verifikimin e përdoruesit dhe destinacionit përfundimtar të mallit,  
  • lëshon liçensa dhe autorizime ndaj personave fizike e juridike, të cilët kryejnë veprimtaritë tregtare të lidhura me eksportin, importin, transferimin e mallrave ushtarake apo me përdorim të dyfishtë, si dhe të teknologjive të tyre, në bazë të vlerësimit të kritereve të kërkuara ligjërisht,
  • sanksionon në rastet e konstatimit të shkeljeve ligjore, subjektet tregtare përgjegjëse për këto shkelje,
  • vigjilon mbi zbatimin efektiv të të gjitha masave shtrënguese apo autorizimet në raste të veçanta, për të gjitha eksportet drejt vendeve të cilat ndodhen nën embargon e armëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara,
  • përveç mallrave të përfshirë në listën e mallrave të miratuara, si pasojë  e klauzolës ndërkombëtare “catch-all clause”, kanë nevojë për autorizim për eksport të gjitha ato mallra të cilat janë ose mund të jenë objekt i përdorimit në lidhje me armët e shkatërrimit në masë, ose të armëve konvencionale nese do të kenë si destinacion të eksportit vëndet nën embargo të armëve

Veprimtaria e AKSHE-së bazohet mbi procedura ligjore transparente, të bëra publike dhe on-line, duke ofruar të gjithë informacionin dhe asistencën e nevojshme ndaj  subjekteve tregtare të përfshira në këto procese.

AKSHE shërben si pikë  kontakti në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria në lidhje me transferimin e armëve dhe mallrave ushtarake e me përdorim të dyfishtë. Si pasojë kryen aktivitetin e saj në bashkëpunim me institucionet e tjera kombëtare, siç janë shërbimi doganor, ministritë e përfshira në këto procese si dhe me shërbimin e inteligjencës. Po ashtu shërben dhe si pikë referimi për bashkëpunimin me organizmat homologe ndërkombëtare, falë shkëmbimit të informacioneve, mendimeve dhe ekspertizës së nevojshme.

Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) është një institucion qëndror, me statusin e personit juridik, publik, në varësi të Ministrit të Mbrojtjes, i cili ka si objekt të veprimtarisë kontrollin shtetëror mbi eksportin, importin, kalimin tranzit, transferimin dhe veprimtaritë ndërmjetësuese për mallrat ushtarake dhe mallrat e teknologjitë me përdorim të dyfishtë.

Designed by M-TECH| © Copyright 2023 Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE)